Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 19:16

Shkup – Iniciativa për hapjen e paraleles së pestë në shkollën fillore “Petar Petroviç- Njegosh” të Idrizovës, do të alarmohet sërish. Këtë e ka bërë të ditur Nazmi Mani, kryetar i këshillit të prindërve në fshatin Idrizovë të Komunës së Gazi Babës.

“Edhe pse deri në këto momente nuk kemi parashtruar kërkesa as në Komunën e Gazi Babës e as në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë (MASH), ashtu siç kemi bërë disa vite me rradhë, shumë shpejtë pritet që nëpërmjet një kërkese më shkrim, t’i drejtohemi këtyre dy institucioneve relevante për këtë qëllim që sërish të kërkojmë hapjen e paraleles së pestë në shkollën e fshatit tonë, me qëllim që fëmijët tanë të mos detyrohen të udhëtojnë me kilometra për të arritur nëpër shkollat e ndryshe në Komunën Çair të Shkupit”, ka thënë Mani.

Sipas tij, problemi i hapjes së paraleles së pestë në shkollën “Petar Petroviç- Njegosh” të Idrizovës, daton qysh prej 3-4 viteve, banorët e fshatin të organizuar shumë herë me radhë kanë kërkuar edhe nga Ministria e Arsimit por edhe nga Komuna që të hapet kjo paralele, por e njëjta kërkesë nuk morri asnjëherë epilog pozitiv. Hapjen e paraleles së pestë banorët dhe nxënësit e fshatit përpos mënyrë institucionale e kanë kërkuar disa herë edhe me anë të protestave në rrugë. “Por, asnjëra parti shqiptare si pjesë përbërëse nëpër qeveritë e ndryshme, nuk gjeti gatishmëri për të zgjidhur këtë problem”, thonë nga ana tjetër, banorët e Idrizovës. Sipas tyre, deri në këto momente, të gjithë nxënësit shqiptarë të fshatit Idrizovë të cilët mbarojnë klasën e katërt, janë të obliguar të udhëtojnë me kilometra deri në shkollat e ndryshme me mësim në gjuhën shqipe të Komunës Çair për të vazhduar shkollimin fillor. Ndryshe, çdo vit, klasën e katërt në “Petar Petroviç- Njegosh” të Idrizovës, e mbarojnë mbi 30 nxënës.