Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 08:14

Shkup - Me promovimin e Pullës Postare “100 Vjetori i Gazetës së parë shqipe SHKUPI”  dje në muzeun e Lirisë në Çair u shënua 133-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Historiani, Skender Asani tha se shënimi i datave të këtilla, është dëshmi se shqiptarët nuk harrojnë historinë pasi nga këto përvjetore akoma mund të mësojmë si popull.

“Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u dha shqiptarëve edhe një varg mësimesh të rëndësishme, si në rrafshin kombëtar dhe diplomatik se pa një mobilizim dhe pajtim kombëtar nuk arrihet deri tek qëllimi”, tha  Skender Asani,  historian.

“Sot ne po dëshmojmë se nuk jemi nga ata që e harrojnë historinë, pasi ata që harrojnë historinë janë të destinuar që të zhduken. Pra ne sot po dëshmojmë se duke respektuar historinë, shkojmë drejt ardhmërisë”, deklaroi  Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

Drejtori i Postave të Maqedonisë tha se promovimi i pullave postare me karakter historik dhe kulturorë shqiptarë ka për qëllim prezantimin e Maqedonisë si shtet multietnik.

“Duke u nisur nga ky parim, nga këshilli i filatelisë brenda këtyre 3 viteve ne kemi emetuar shumë pulla postare që kanë paraqitur dhe kanë promovuar trashëgimin kulturore të popullit shqiptarë në Maqedoni”, u shpreh Ejup Rrustemi, drejtor i Postave të Maqedonisë.

Njëqind e tridhjetë e tre vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është shënuar edhe në viset tjera shqiptare.