Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 09:12

Shkup -Tre shkollat e mesme me më shumë nxënës shqiptarë në Shkup, nuk i nënshtrohen testimit ekstern të cilin e paralajmëroi ministri i arsimit Nikolla Todorov. Përgjegjësit e shkollave më të mëdha të mesme, të cilat kanë një numër të madh të nxënësve, thonë se as nuk kanë ndonjë informacion se pse nuk është mbajtur ky testim në ato shkolla.

Përgjegjësi i shkollës së mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, Shaip Zeneli thotë se paralelet shqipe në këtë shkollë nuk janë informuar për këtë testim.

“Nuk e di arsyen por ne nuk kemi marrë asnjë informacion në lidhje me këtë testim ekstern i cili u paralajmërua më pare”, ka thënë Zeneli.

Gjithashtu edhe përgjegjësi i gjimnazit “Zef Lush Marku”, Bedri Gjureci tha se në këtë gjimnaz nuk kishte ardhur asnjë informacion dhe asnjë material për mbajtjen e këtij testimi.

“Siç po duket ministri ka luajtur me ne dhe e tërë puna e testimit ekstern ka qenë vetëm gënjeshtër. Deri më tani më është dashur që të bëhen të gjitha përgatitjet ashtu siç janë bërë për provimin e maturës shtetërore”, theksoi Gjureci.

Ndërkaq përgjegjësi i shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, Sherif Selimi tha se në vend të testimit ekstern në këtë shkollë MASH ka dërguar inspektora të arsimit, të cilët për një kohë të gjatë kontrolluan punën e profesorëve dhe administratës.

“Nuk e di se spe nuk është mbajtur tek ne testimi ekstern, por e di se kanë sjellë inspektora të arsimit në shkollën tone, të cilët kanë mbikëqyr punën e profesorëve dhe administratës dhe kanë dhënë vlerësim për ta”, ka thënë Selimi. Kurse zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski tha se testimi ekstern, prove, është realizuar që në fund të muajit maj dhe tha se nuk e din arsyen se pse në këto shkolla ai nuk është realizuar.

“Nuk e di se pse nuk është mbajtur testimi ekstern në këto shkolla të mesme. Unë kam informacion që të gjitha shkollat e kanë kaluar këtë testim. Për këtë është angazhuar Qendra shtetërore për testim dhe tek ajo duhet të kërkohet përgjegjësi për këtë anashkalim”, thekson Galevski.

Ndërkaq testim ekstern, që MASH e ka shtyrë për vitin e ardhshëm shkollor, si provë u realizua në muajin maj të këtij viti shkollor. Në këtë testim u përjashtuan maturantët për shkak të detyrimeve të tyre për maturën shtetërore dhe për përgatitjet për regjistrim në fakultet. Ministri i arsimit, Nikolla Todorov tha se qëllimi i testimit eksperimental është që të verifikohet funksionimi i sistemit, dhe siç tha, që t’i tregohet nxënësve se nuk duhet që të kenë frikë nga testimi me të cilin përmes dijeve të tyre do të vlerësohet objektiviteti i arsimtarëve. Todorov gjithashtu theksoi se rezultati i testimit nuk do të ndikojë mbi vlerësimin përfundimtar që nxënësi e ka marrë në një lëndë të caktuar.