Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 11:29

Shkup – Asnjë prej kryetarëve të komunave që fituan mandatin e deputetit, nuk do të ulen në karrigen e deputetit. Sipas informacioneve që i ka në dispozicion Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), secili prej tyre ka konfirmuar se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën që ka pasur, duke u tërhequr nga funksioni i ri në Parlament. Në zgjedhjet e fundit, te blloku shqiptar fituan dy kryetarë komunash edhe atë Izet Mexhiti nga BDI dhe Rufi Osmani i RDK-së.

Të dy krerët e komunave, Mexhiti i Çairit dhe Osmani i Gostivarit janë distancuar nga ky mandat, duke bërë me dije se do të preferonin që të vazhdonin të udhëheqin komunat. Në vend të tyre, si deputet do të përfitojnë ata që renditeshin pas tyre në listat zgjedhore dhe që nuk arritën të marrin mbështetjen e elektoratit. Me tërheqjet e tyre, në vend të Izet Mexhitit si deputet do të shkojë Rafet Muhinoviq dhe në vend të Osmanit, do të bëhet deputete Flamure Demiri-Kreçi. Ndryshe, e njëjta gjë ndodh edhe në bllokun maqedonas, ku të gjithë kandidatët që fituan mandatet, do të qëndrojnë në postin e kryetarit të komunës.