Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 18:29

Shkup – VMRO dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë arritur marrëveshje për koalicion për mandatin vijues katërvjeçar. Partneri shqiptarë i koalicionit BDI, kësaj radhe do të përfaqësohet në qeveri me 2 zëvendëskryeministra, 5 ministra, 4 zëvendësministra dhe 5 sekretarë shtetërorë.

Jozyrtarisht mësohet se për zëvendëskryeministra nga partia e Ali Ahmetit janë nominuar Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Ermira Mehemti–Devaja, zëvendëskryeministre për eurointegrime.

Me Ministrinë e Drejtësisë do të udhëheqë Adnan Jashari, Abdilaqim Ademi me Ministrinë e Ekologjisë, Fatmir Besimi me dikasterin e Ekonomisë, ndërsa Hazbi Lika me Ministrinë e Mbrojtjes, derisa ende nuk dihet se kush do të qëndrojë në krye të dikasterit të Pushtetit Lokal.

BDI do të ketë edhe 4 zëvendësministra: në Arsim, në Ministrinë e Brendshme, atë të Financave dhe në Ministrinë e  Transportit dhe Lidhjeve. Derisa sekretarët shtetërorë, që vijnë nga radhët e BDI-së, do të jenë në Ministrinë e Kulturës, Shëndetësisë, Bujqësisë, në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Edhe përkundër të gjitha spekulimeve se kryetari i Parlamentit do t’i takojë partisë shqiptare, kjo nuk ndodhi. Ndërkohë, BDI si kërkesë ka edhe zgjedhjen e rasteve të Hagës dhe çështjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Nga ana tjetër, në VMRO mbeten Zoran Stavrevski, Vlladimir Peshevski dhe Antonio Milloshoski, ndërsa resor i ri që do kontrollohet nga Gruevski është Ministria e Shëndetësisë. I paqartë është fati i ministres aktuale të policisë, Gordana Jankullovska, pasi që në vend të saj supozohet të vijë ish-drejtori i DHP-së, Goran Trajkovski.

Të martën, pritet që mandatari Nikolla Gruevski, ta marrë mandatin për qeverinë e re nga Presidenti Ivanov. Publikimi zyrtar i kabinetit të ri dhe programit të ri qeveritar, duhet të ndodhë më së voni 20 ditë pas marrjes së mandatit. (LajmeShqip.com)