Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 08:23

Shkup – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov priti dr. Ferid Muratin, fituesin e Çmimit Nobel nga sfera e mjekësisë dhe farmakologjisë klinike. Në takim, siç ka kumtuar kabineti i presidentit, dr. Murati i ka përshëndetur angazhimet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për zhvillimin dhe kultivimin e bashkëjetesës në një shoqëri multikulturore dhe është angazhuar që ta shfrytëzojë prestigjin e tij në shoqërinë amerikane, të lobojë për Maqedoninë që sa më shpejtë të realizojë qëllimet strategjike të vendit – anëtarësimin në BE dhe NATO. Dr. Murati është interesuar për gjendjet në shëndetësi dhe arsimin mjekësor në Republikën e Maqedonisë, duke i identifikuar sferat e bashkëpunimit të mundshëm. Presidenti Ivanov duke i uruar Ferid Muratit për të gjitha sukseset e arritura deri më tani, shfaqi shpresë se edhe më tej projektet e tij hulumtuese do të kontribuojnë drejt zhvillimit të mjekësisë dhe farmakologjisë kudo në botë. Siç theksohet në kumtesë, presidenti Ivanov në takim shprehu falënderim për faktin se dr. Murati sukseset e tij i quan edhe suksese të Republikës së Maqedonisë. Bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, rolin e saj në planin ndërkombëtar, si dhe për problemin me emrin e fqiut jugor, i cili i vështirëson këto procese. Profesori universitar dhe hulumtuesi dr.Ferid Murati, i cili me prejardhje është nga Gostivari, ndërsa jeton dhe punon në Hjuston, Teksas, është fitues i çmimeve dhe mirënjohjeve të shumta për hulumtime në sferën e mjekësisë. Arritja më e rëndësishme në veprimtarinë e tij shkencore dhe hulumtuese është marrja e Çmimit Nobël për mjekësi dhe fiziolgji në vitin 1998 për zbulimin lidhur me zbatimin e oksidit nitrik si molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular.