Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 17:27

Shkup – Sipas lajmërimeve të para të bëra për arritjen e marrëveshjes koalicionuese mes dy partive më të mëdha në vend DPMNE dhe BDI janë shtuar reagimet, sidomos për proporcionalitetin që kanë marrë shqiptarët në këtë qeverisje. Pakënaqësi të madhe në opinion shfaqet për mos marrjen e ndonjë prej pozicioneve kyçe të shtetit dhe sidomos tani kur qeveria varet edhe numerikisht edhe politikisht nga partia shqiptare fituese BDI.

Analizat dhe përshtypjet e para të dala në lidhje me këtë marrëveshje flasin për inovimin e vetëm zv. kryeministër për euro-integrim si një resor që partia DPMNE kishte interesim t’ia linte partnerit shqiptar pasi në periudhën e ardhshme pritet të ketë ngecje në këtë drejtim kurse ata vet si parti nuk do llogariten përgjegjës për këtë. Duke marrë parasysh patjetërsinë dhe rëndësinë e votës së BDI-së në Parlament kjo përqindje do duhej të ishte shumë afër partneritetit të plotë, me gjysmën e pushtetit të përgjithshëm në qeveri. Stafi i redaksisë tonë ka bërë një përllogaritje në përqindje se sa kanë marrë pushtet shqiptarët me këtë marrëveshje të fundit, duke u shërbyer me disa parametra vlerësues të huazuara nga firma negociatore. Ashtu sipas kësaj përllogaritje i gjithë vlerësimi numerik i qeverisë është total në 566 pikë. Në këtë matje kryeministri vlerësohet me 100, kurse katër zëvendësit e tij me nga 25 pikë secili prej tyre. Ministrat nga 15 kurse zëvendës ministrat dhe ata pa resorë nga 5 pikë. Këtij numri i shtohet edhe 17 sekretarë shtetërorë me nga 3 pikë. Nga gjithë këto pikë BDI ka marrë vetëm 160 pikë ose njësi matëse të këtij negoicimi. Respektivisht: dy zëvendës kryeministra, pesë ministra, pesë sekretarë shtetërorë, katër zëvendës ministra dhe asnjë ministër pa resor. Kështu me këtë përllogaritje del se BDI në stafin e ardhshëm qeveritar merr pjesë me vetëm 160 nga 566 pikë ose 28. 26 për qind. Përqindje kjo që është shumë larg partneritetit të plotë dhe në mospërputhje më rëndësinë e votës që përfaqëson BDI-ja në parlamentin e Maqedonisë. Gjithashtu sipas kësaj përllogaritje nuk mund të shihet kuantiteti i qeverisjes i paralajmëruar nga ana e Ermira Mehmeti-Devaja nga BDI: “Ne nuk kemi qenë të interesuar për përfaqësim simbolik por kemi qenë të interesuar dhe jemi të interesuar për përfaqësim përmbajtjesor dhe konsiderojmë se kjo do të jetë një realitet i cili do të dëshmohet brenda disa ditëve. Sepse qëllimi jonë është të sigurojmë përfaqësim më të mirë, më të madh, më kualitativ në organin ekzekutiv që është qeveria”. Përndryshe edhe në këtë qeveri shqiptarët nuk kanë përfaqësues në dy ministri; atë të punëve të jashtme dhe në ministrinë për punë dhe politikë sociale. Ende mbeten të pa shpalosura detajet rreth asaj se kujt i takojnë postet me resurse të mëdha, fonde dhe ndikim si Dogana, DHP dhe Fondi i shëndetësisë. Po ashtu ende nuk shpalosen detaje për detajet brenda pushtetit ose përbërjes totale të qeverisë as edhe për postet kyçe tjera shtetërore, jashtë strukturës së qeverisë, të arritura nga ky negocim. Nëse i shtohen edhe këto detaje vlerësimit total qeveritar si dhe agjencitë dhe komisionet shtetërore që janë nën ingerenca të qeverisë, përqindja e këtij hesapi del shumë më e pakët se e përllogaritura tani. Kjo gjë edhe më shumë mund të shtojë pakënaqësinë shqiptare nga kjo marrëveshje qeveritare.