Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 07:14

Shkup – Ish deputeti i BDI-së, njëherësh kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, Fazli Veliu ka akuzuar partinë e tij amë se ka dështuar me marrëveshjen koalicionuese me VMRO-në. Në një komunikatë drejtuar mediave, Veliu ka thënë se edhe pas zgjedhjeve të parakohshme, politika vendore ndaj shqiptarëve është e njëjtë.

“Epërsia e palës sllavomaqedonase mbi të tjerët, veçmas ndaj shqiptarëve, wshtw diskriminuese, e papërfillshme ndaj të gjitha gjeneratave, e njëanshme. Të njëjtit aktorë në postet e parazgjedhjeve zunë vendet kyçe, nëpërkëmbën votën shqiptare. Ishin fjalë dhe jo veprime parimore paralajmërimet premtuese për të pasur status barazie, për të zgjedhur një udhëheqës Parlamenti nga pala shqiptare, ishin dhe janë deklarata adoleshente ato, se nuk mund të tregohet strategjia e subjekteve numerikisht më të mëdha në vend. Njëanshmëria në udhëheqje institucionale qeveritare, parlamentare e shtetërore, na kthen në kohën a monizmit, njëetnisë. Atë që përmendi z. Perdju pak më parë, për një vazhdimësi nacionaliste, e dëshmuan pikërisht të rizgjedhurit e nacionalitetit antishqiptar”, shkruan në reagimin e tij drejtuar partisë, Fazli Veliu, që njëherësh është edhe daja i Ali Ahmetit. Ai i ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të “kthjellohen, vetëdijesohen njëherë e përgjithmonë se ky vend u takon të gjithë qytetarëve dhe udhëheqja duhet të jetë proporcionale. “Në BE nuk mund të përfshihen vendet që bëjnë politikë dyfytyrëshe, dydrejtimëshe, miopë…”, ka shtuar kreu i SHVL-së Veliu.