Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 07:13

Shkup – Kryesia e BDI-së, në një mbledhje të shtunën mbrëma ka formuar grupin negociator i cili prej të hënës do t’i fillojë bisedimet me VMRO-DPMNE-në për formimin e qeverisë së re. Siç mëson jozyrtarisht “Lajmeshqip.com” grupin negociator të BDI-së do ta udhëheqë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Abdilaqim Ademi, ndërsa pjesë e ekipit do të jenë edhe nënkryetari Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Ermira Mehmeti-Devaja dhe Fatmir Besimi. Mësohet se kësaj radhe BDI-ja është e vendosur që të marrë drejtimin e Parlamentit, ndërsa si emër që më së shumti lakohet për këtë post është nënkryetarja e partisë, Teuta Arifi. Bile, nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndryshime sa i përket postit të zëvendëskryeministrit dhe resorëve tjerë ministrorë. BDI-ja do të kërkojë drejtimin e njërit prej dikastereve kryesore, siç janë Ministria e Jashtme, ajo e Brendshme apo Ministria e Financave. Nga VMRO-DPMNE-ja nuk janë prononcuar lidhur me përbërjen e re qeveritare. Nga partia e Gruevskit, përveç me BDI-në, gjatë ndarjes së posteve duhet të llogarisin edhe partnerët maqedonas të koalicionit. Në përbërjen e ekzekutivit deri në zgjedhje, BDI-ja, përveç postit të zv/ kryeministrit, ka drejtuar resorin e Ekonomisë, atë të Shëndetësisë, Punës dhe Politikës Sociale, Pushtetit Lokal dhe Ekologjisë. Gjithashtu bëhet e ditur se BDI do të kërkojë përfshirjen e kërkesave të saj në kuadër të prioriteteve të Qeverisë së re, siç janë zhbllokimi i proceseve euro-integruese përmes zgjidhjes së kontestit të emrit, implementimi i shpejt i pjesëve të ngelura dhe kontestuese të Marrëveshjes së Ohrit, mbyllja e rasteve të Hagës si dhe kërkesa të tjera që kjo parti i pati si pjesë të platformës parazgjedhore. Ndryshe, gjatë mbledhjes së kryesisë qendrore të BDI-së i është bërë pikërisht edhe një analizë punës së këtyre ministrive dhe në përgjithësi bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në në tre vjetët e kaluar. Në zgjedhjet e 5 qershorit, VMRO-DPMNE fitoi 56 deputetë ndërsa BDI 15 deputetë. Formimi i Qeverisë duhet të ketë një mazhorancë prej 61 deputetëve, ndërsa koalicioni i ri pritet të ketë 71 deputetë nga 123 sa numëron Parlamenti i Maqedonisë.