Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 12:34

Shkodër – Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një takim të organizuar mbrëmë në sallën e kinemas ‘Millenium’ të qytetit të Shkodrës, ka analizuar rezultatet e dobëta të arritura nga PS në këtë qytet, në zgjedhjet e 8 majit.

Në takim nuk është lejuar asnjë përfaqësues i medias, por nga burime të besueshme nga radhët e socialistëve që ishin të pranishëm në sallë, bëhet e ditur se ndër çështjet më të diskutuara në këtë takim ka qënë rezultati i dobët i arritur nga kreu i Partisë Socialiste të rrethit Shkodër, Genc Uruçi, i cili në garën vendore për kreun e bashkisë së Shkodrës, regjistroi një humbje me diferencë afro dhjetë mijë votash me rivalin e tij demokrat, Lorenc Luka.

Siç bëhet e ditur, kritikat në adresë të zotit Uruçi, kryesisht nga deputeti Tom Doshi, kanë qënë edhe për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ku si rezultat i pakënaqësive të shumta në radhët e socialistëve shkodranë, edhe këtu rezultati ka qënë shumë i dobët, dhe më i ulët se në mandatin e mëparshëm.

Për të gjitha këto, gjithnjë sipas burimeve të besueshme brenda radhëve të socialistëve që morën pjesë në takim, mësohet se ish- kandidatit humbës për garën e bashkisë së Shkodrës, Genc Uruçi, i është kërkuar të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së së rrethit, si përgjegjësi kryesor për rezultatet e dobëta të arritura nga socialistët shkodranë në zgjedhjet e fundit vendore.