Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 19:38

Shkodër – Eshtrat e të pushkatuarit të diktaturës, Tom Ndoja, që u zbuluan pas 27 vitesh, u përcollën sot me nderime në ceremoninë e rivarrimit në varrezat katolike të Rrmajit të Shkodrës nga qindra miq, të afërm të familjes Ndoja, përfaqësues të qeverisjes vendore, shoqatave të ish të përndjekurve politikë, etj.
Eshtrat e Tom Ndoja, të pushkatuarit të diktaturës komuniste, u gjenden pas 27 vite kërkimi të shtunën e kaluar në periferi të qytetit të Shkodrës, të groposura në një fushë pranë lumit Kir, së bashku me bashkëvuajtësin e tij Sokol Sokoli.
Dy të pushkatuarit, Ndoja nga Shkodra dhe Sokoli nga Lekbibaj vuanin dënimin në burgun e Qafë Barit të Pukës me akuzën “agjitacion e propagandë”, por gjatë një revolte në vitin 1984 në këtë burg, ku të dy ishin protogonistë, morën dënimin me vdekje duke i pushkatuar në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi në Shkodër.
Në nderim të figurës antikomuniste, Tom Ndoja gjatë ceremoninë mortore, prefekti Maxhid Cungu, kryetari i bashkisë Lorenc Luka, etj, me prononcimet e tyre, dënuan ashpër aktin barbar të regjimit komunist që i ekzekutoi këto dy të rinjë në moshën 22 vjeçare duke i lënë pa varr gjatë gjithë kësaj periudhe.
Familjet e të pushkatuarve me ndihmën dhe mbështetjen e Ministrisë së Brendshme që vuri në dispozicion hartën dhe skicën e mundshme të vendit të pushkatimit, mundën të gjenin eshtrat e tyre.
Për pjesëtarët e familjes Ndoja nga malësitë e Dushmanit, por që jetojnë në Shkodër, kjo ditë është e veçatë.
“Për mua, familjen dhe fisin është gëzim tepër i madh, sepse gati i patëm humbur shpresat për t;i gjetur më eshtrat e vëllait tonë. Deshi zoti dhe u arrit ky qëllim që i kishim vënë vetes”, u shpreh për mediat 49 vjeçari Zef Ndoja, i vëllai i të pushkatuarit.