Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 11:49

Shkodër – Konsullata e Italisë në Shkodër festoi mbrëmë 150 – vjetorin e Italisë së Bashkuar dhe përvjetorin e Republikës, në një ceremoni, të gërshetuar me një koncert artistik nga trupa e shoqatës kulturore “Prenkë Jakova”.

Në fjalën përshëndetëse Konsulli i Italisë në Shkodër, Roberto Andreoti përshkoi rrugën 150 vjeçare të Italisë së Bashkuar dhe përvjetorin e Republikës.

“Bashkimi Italian ka përfaqësuar një ndërmarrje historike të jashtëzakonshme për kushtet, për cilësitë dhe rëndësinë që mori, për suksesin me të cilin e kurorëzoi, duke lënë pas parashikimet e shumë shteteve”, tha ai.

Duke nënvizuar lidhjet, miqësinë dhe afrimitetin e Italisë me Shqipërinë, ku Shkodra zë një vend shumë të rëndësishëm, Konsulli Andreoti tha se “Italia ka hyrë në zonën e vendeve më të industrializuara dhe të përparuara”, ndërsa veçoi si faktorë vendimtarë të identitetit italian, gjuha dhe kultura, pasuria historiko-artistike dhe historiko-natyrore, ku “gjendet sekreti kryesor i tërheqjes dhe i simpatisë që Italia ngjall nëpër botë”.