Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 18:36

Tiranë – Kanë filluar të asfaltohen kilometrat e parë të segmentit rrugor Shkodër – Hani i Hotit, konkretisht segmenti në dalje të Koplikut si dhe në by-pass-in e Bajzës.

Sipas burimeve nga Ministria e Transporteve, “brenda 3 muajve të ardhshëm pritet të asfaltohen pjesë të tjera të këtij segmenti, duke ndikuar edhe në përmirësimin e trafikut në të”.

Aktualisht, po punohet në të gjithë pjesën urbane dhe ekstra urbane, në gjashtë urat dhe në veprat e tjera, pjesë e segmentit Shkodër-Hani i Hotit.

Ministri Olldashi inspektoi ecurinë e punimeve në këtë segment, ku të pranishëm ishin prefekti dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, si dhe drejtuesit e firmës italiane që po kryejnë punimet.

Gjatë fjalës së tij, ministri Olldashi u shpreh se “aktualisht është kaluar faza më e vështirë e punimeve, konkretisht faza e punimeve të nëntokës në pjesën urbane të rrugës dhe të shpronësimeve, që shpesh herë kanë paraqitur problematika specifike”.

Ndër të tjera, ministri theksoi se, “aktualisht po punohet drejt fazave të tjera të ndërtimit të rrugës, në mbushjen, në rilevimet si dhe me shtrimin e asfaltit në disa segmente”.

“Brenda një periudhe 3 mujore, do të kemi pjesë të këtij segmenti të përfunduara tërësisht, çka do të thotë që do të kemi një trafik shumë më të lirë”, tha Olldashi.

Ndër të tjera, ministri falënderoi kompaninë italiane “Claudio Salini & Salvatore Materrese” dhe nënkontraktorët, për vëmendjen që po i kushtojnë mbajtjes në gadishmëri të këtij segmenti, duke patur parasysh edhe fillimin e sezonit turistik, që siç dihet, rrit në mënyrë të ndjeshme trafikun e mjeteve që vjen dhe shkon drejt Malit të Zi nga pika kufitare e Hanit të Hotit.

Ndërtimi i këtij segmenti rrugor me një gjatësi 39 km është një bashkëfinancim i qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare që kap vlerën e rreth 31.5 milion Euro.