Lajme Shqip e Martë, 31 Korrik 2012 14:14

Prishtinë – Billborde me mbishkrimin ‘Severna Armija’ (Armata e veriut) në të cilat shihet edhe fytyra e një ushtari të uniformuar janë vendosur nëpër vende të ndryshme në veri të Kosovës, transmeton Kosovapress.

Qytetarë në veri, me vendosjen e billbordeve duke patur parasysh tensionet dhe gjendjen e rëndë, kanë filluar të shqetësohen. Vendosjen e billbordeve janë duke e analizuar edhe forcat e sigurisë në Kosovë.

Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se një mbishkrim me përmbajtje dhe fotografi të tillë në formë të gravuar, ndodhet edhe në një kioskë në qendër të Zveçanit që është vepër e grupeve ekstremiste në veri.

Sipas këtyre burimeve, kjo armatë është themeluar nga grupe famëkëqija serbe të ekstremit të djathë që luftojnë për Serbinë e madhe dhe të pastër me krishterë ortodoksë, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të territorit të Kosovës.

“Shumë qytetarë serbë të cilët punojnë nëpër institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe policë serbë të Kosovës, janë kërcënuar ditët e fundit përmes mesazheve telefonike nga të ashtuquajturit pjesëtarë të Armatës së veriut”, kanë thënë burimet, duke shtuar se kjo armatë përbën në vete edhe persona të formacioneve të ndryshme çetnike e ultranacionaliste dhe të shpallura ilegale edhe nga vetë Serbia.(LajmeShqip.com)