Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 19:00

Kryetari i partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, ka vlerësuar se lufta kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, është duke u vështirësuar për faktin se qeveria e Serbisë është duke i dhënë çdo herë e më shumë atribute të shtetësisë Kosovës, shkruan N1.

“Nuk mundet qeveria nga njëra anë të favorizon fuqitë perëndimore, kurse në anën tjetër të aktrojë kinse është duke luftuar që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë”, ka deklaruar Sheshel gjatë një konference për shtyp, transmeton lajmi.net.

Lideri i SRS-së mendon se seti i marrëveshjeve të Brukselit, janë duke quar vendin drejt rritjes së atributeve të shtetësisë së Kosovës.

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, ka miratuar dje në Paris rekomandimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Aplikimin për pranimin e Kosovës në UNESCO e kishte dorëzuar formalisht Shqipëria, e mbështetur nga 45 vende tjera.

Kurse vendimin përfundimtar mbi pranimin e Kosovës në UNESCO ,do ta merr Konferenca e Përgjithshme e cila pritet të mbahet nga 3 deri në 18 nëntor. Konferencën e Përgjithshme e përbëjnë përfaqësues nga 195 vendeve anëtare. Çdo vend anëtarë ka të drejt në një votë, kurse për marrjen e vendimit nevojiten një shumicë prej dy të tretash.