Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 19:07

Uashington- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Washington DC, u takua në Departamentin e Shtetit me Zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit, Philip Reeker.

Gjatë diskutimeve mbi zhvillimet e fundit politike në vend, perspektivën e axhendës së integrimit evropian dhe zhvillimeve në rajon, kryetari i LSI-së u shpreh se Shqipëria ngadalësoi axhendën e saj integruese në dy vitet e fundit, në mënyrë të panevojshme dhe se kjo duhet të shërbejë si një mësim për të ardhmen.

Në këtë drejtim, Meta vuri në dukje përmirësimin e klimës politike gjatë muajve të fundit dhe theksoi rëndësinë e konkretizimit të shpejtë të reformave, në përputhje edhe me Plan Veprimin, e miratuar së fundi.

Nga ana e tij zv/ndihmës Sekretari i Shtetit, Reeker u shpreh se SHBA mbështet plotësisht përmbushjen e 12 prioriteteve të BE-së dhe marrjen e statusit të kandidatit, duke theksuar se fokusimi në zbatimin e Plan Veprimit është i rëndësishëm për ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë.

Meta dhe Reeker ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria dhe rajoni kanë përjetuar një zhvillim të madh gjatë 20 viteve të fundit. Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal u vlerësua si domosdoshmëri për konsolidimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë për të gjitha vendet.

Në këtë drejtim u vlerësua kontributi që Shqipëria jep në mënyrë të vazhdueshme në shërbim të fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal. Kryetari Meta viziton Washingtonin në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Evropës Juglindore që zhvillohet në John Hopkins University.

Gjatë vizitës së tij në Uashington kryetari i lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta, është pritur në një takim në departamentin e shtetit , ku u takua me zëvëndës ndihmës sekretarin Filip Riker . Meta dhe Riker diskutuan për zhvillimet politike në vendin tonë, por edhe për ngjarjen rajonale. Më herët kreu i LSI, pati edhe një takim me senatoren amerikane Xhin Shahin. (LajmeShqip.com)