Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 10:39

Tiranë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpritën vendimin e parlamentit për të shtyrë votimin e anëtarit të ri të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Në një deklaratë të ambasadës amerikane në Tiranë, thuhet se “nxisim partitë politike, që ta përdorin këtë kohë për diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera”.

Shtetet e Bashkuara, vijon deklarata, iu kanë bërë thirrje në mënyrë konseguente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri, atyre në qeveri dhe atyre në opozitë, që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor.

“Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën, që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

Duke qëndruar specifikisht te përbërja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ambasada nënvizon: “Është me rëndësi të mbahet mend, që anëtarët e KQZ-së – të cilët u përzgjodhën dhe u emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor – konsiderohen se janë apolitikë. Me t’u emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri”.

Selia e Washington-it në Shqipëri thekson se, duke pasur parasysh një kontekst të tillë – “si dhe për hir të qartësisë morale – ne nxisim të gjithë aktorët politikë, që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës proceduriale, kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së”.(T.CH/LajmeShqip)