Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 19:59

Prishtinë-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, nënshkruan sot pasdite në një ceremoni organizuar në Kabinetin e Presidentes së Kosovës, Marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse Bilaterale në mes të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.

Presidenca kosovare, në një komunikatë për shtyp, thekson se marrëveshja përfshin bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja, ruajtjen e diversitetit të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore, si dhe mbështetjen për angazhimin e shoqërisë civile në zhvillimin e komunitetit.

Marrëveshja Bilaterale i jep edhe një shtysë të mëtejshme partneritetit të fuqishëm mes Kosovës dhe SHBA, të zhvilluar një kohë të gjatë. Ajo i hap rrugën një bashkëpunimi më të theksuar strategjik në fushën e ekonomisë dhe përfshin fusha specifike.

SHBA në vazhdimësi kanë ndihmuar të gjithë sektorët në Republikën e Kosovës, në rrugën e saj të zhvillimit në një shtet të fuqishëm demokratik, me ekonomi të zhvilluar dhe me institucione që sigurojnë qeverisje demokratike, që përkrahin zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.

Republika e Kosovës ka mirëpritur në vazhdimësi ndihmën e SHBA-ve në të gjitha fushat e jetës dhe bashkëpunimin me SHBA e sheh me interes jetik në realizimin e qëllimeve të ndërtimit të një shteti funksional, me synimin për integrimin sa më të shpejtë në të gjitha nismat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe anëtarësimin sa më të shpejtë në institucionet euro-atlantike. (LajmeShqip.com)