Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 13:36

Prishtinë – Ideja për ndarjen e Kosovës është jo reale, por për të duhet biseduar, për ta kuptuar njerëzit përse kjo është një ide e keqe. Kështu tha në një intervistë për shërbimin serb të “Zërit të Amerikës”, Daniel Server, analist i Qendrës për Marrëdhënie Euroatlantike të Universitetit John Hopkins, lidhur me deklaratat e zv.kryeministrit serb Ivica Daçiç për ndarjen, përkatësisht përcaktimin e kufijve si zgjidhjen e vetme reale për Kosovën.

Por, sipas Serverit, nëse Serbia dhe Kosova do të arrinin ndonjë pajtim, duhet t’i garantonin komunitetit ndërkombëtar se një marrëveshje e tillë nuk do të rrezikonte stabilitettin rajonal, përkatësisht Maqedoninë dhe Bosnjën.

Por, Server nuk beson se Beogradi apo Prishtina mund të garantonin diçka të tillë dhe se kjo do të japë fryte. Gjithashtu, sipas tij, ndarja nuk është e pranueshme për shqiptarët e Kosovës “nëse nuk bisedoni me ata që duan të krijojnë Shqipërinë e madhe”.

Por, nga ana tjetër, thotë Server, nuk e di përse kjo ide do të ishte e pranueshme për serbët e Kosovës, pasi “ndarja përgjatë lumit Ibër do të privonte Serbinë nga të gjitha manastiret, kishat dhe monumentet e saj”.

Pasi konstaton se Serbia duhet të pranojë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës, Server thotë se “refuzimi i presidentit Tadiç për të marrë pjesë në samitin e Evropës Qendrore dhe Lindore në Varshavë për shkak se Presidentja e zgjedhur në mënyrë demokratike merrte pjesë në atë eveniment, është një veprim i gabuar – një lloj autogoli, posaçërisht në dritën e pjesëmarrjes së presidentit Obama në atë konferencë”.

Madje, edhe pa njohjen formale, diplomatike të Kosovës, Server porosit se Serbia duhet të pranojë që në Kosovë ekzistojnë institucione legjitime dhe demokratike, pavarësisht statusit të saj dhe duhet direkt të bisedojë me ato institucione, siç bën në Bruksel.