Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 13:32

44 vjeçari Viktor Gushi, i akuzuar për një seri vrasjesh dhe grabitjesh me armë, kryesisht në banka, do të qëndrojë në paraburgim.

Në një seancë që zhvilloi ditën e sotme, Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së prokurorisë vendosi masën e sigurisë së  “arrest me burg pa afat”, ndaj 44 vjeçarit Gushi. Seanca e sotme, nisi me një fjali pendesë nga ana e Gushit, që ndër të tjera tha se,  “nuk e mendoja se do vija deri këtu”.

Viktor Gushi, nga Patosi i Fieri, është vënë nën akuzë për 16 ngjarje të rënda kriminale, ndër to vjedhje me armë  të subjekteve private dhe shteterore me pasoja të rënda në jeten e njerëzve. 

Ai u arrestua dy ditë më parë,  në një operacion të policisë së Tiranës. Arrestimi i tij erdhi dy ditë pas ngjarjes së ndodhur të martën e kësaj jave, në sheshin Shtraus në Tiranë, kur ai akuzohet se në tentativë për të grabitur me armë filialin e një banke, vrau arkëtaren Leonora Kaloçi, si dhe plagosi rojen e bankës. Por, 44 vjeçari akuzohet dhe për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj pak muaj më parë, në Tiranë, gjatë tentativës për të vjedhur argjendarinë e tij.

Viktor Gushi, pritet ti nënshtrohet disa ekzaminimeve për të parë nëse është përdorues droge apo nëse ka probleme mendore.  44 vjeçari nga Patosi i Fierit ka pranuar autorësine e tij në këto ngjarje të renda, ndërsa ka deklaruar se gjithçka e kishte bërë i vetëm.