Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 07:57

Shkup – Anëtari i Komisionit Nacional për tekste shkollore, Skender Asani ka dhënë dorëheqje nga ky post pas lajmërimit të Byrosë për Zhvillim të Arsimit (BZHA) se libri i historisë, në të cilin u vërtetuan gabime skandaloze për popullin shqiptar, nuk do të tërhiqet. Sipas Asanit, BZHA po e shfrytëzon rastin, kur ministri i arsimit është vetëm teknik deri sa të formohet qeveria e re dhe mundohet që të mos e ndryshojë historinë e klasës së gjashtë dhe përmbajtjen skandaloze të saj.

“Gjatë mbledhjes së ditës së enjte, nga BZHA na thanë se ky libër nuk do të ndryshohet pasi që është përpiluar me ligjin e vjetër dhe ky komision nuk ka ingerenca që ta ndryshojë atë. Ky është një diskriminim tejet i madh për popullin shqiptar pasi në të mohohet kultura dhe shumë elemente shqiptare dhe për këtë arsye unë dhashë dorëheqje dhe nuk do të jem më anëtar i këtij komisioni”, ka thënë Asani. Ai shtoi se ndjen keqardhje se pse anëtarët tjerë nuk e bënë të njëjtën gjë si ai.

“Më vjen shumë keq që nuk gjeta përkrahje tek kolegët e mi shqiptarë në këtë komision, të cilët nuk dhanë dorëheqje pas këtij skandali të radhës, por vazhduan mbledhjen absurde”, ka shtuar Asani. Ai po ashtu bën apel deri tek gjithë shkollat që të reagojnë ndaj këtij diskriminimi që ju bëhet shqiptarëve, duke ju mohuar shumë vlera kulturore dhe historike në këtë libër skandaloz, i cili nuk u përmirësua dhe u aprovua nga BZHA.

“ Apeloj deri tek të gjitha shkollat që të reagojnë për këtë padrejtësi që na u bë, ku BZHA nuk e hoqi nga përdorimi librin skandaloz të historisë, i cili do të vazhdojë të jetë në duart e mësimdhënësve dhe nxënësve tonë”, ka thënë Asani.

Ndërkaq as autori, as recensentët e tekstit të historisë së klasës së gjashtë nuk kanë qenë shqiptarë. Në atë tekst, njëjtë si në enciklopedinë maqedonase thuhet se shqiptarët janë njerëz të egër.