Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 08:01

Përfaqësuesit e pensionistëve kosovarë vazhdojnë të kërkojnë pagesën e pensioneve të ndërprera në vitin 1999, mbi bazën e një aktgjykimi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas të dhënave të përfaqësuesve të shoqatave të pensionistëve bëhet fjalë për më shumë se një miliard euro, që Serbia duhet t’u kthejë rreth 60 mijë pensionistëve kosovarë.

Kthimi i Fondit Pensional dhe Invalidor nuk është shtruar asnjëherë në bisedimet që Kosova i ka zhvilluar me Serbinë në Bruksel, edhe pse ka pasur kërkesa të vazhdueshme të përfaqësuesve të pensionistëve.

Në vendimin e Strasburgut të datës 17 prill 2012, u është dhënë e drejta dy pensionistëve nga Mitrovica, të cilët për t’u ankuar në Strasburg ishin shpërngulur në Novi-Pazar, pasi që kjo Gjykatë nuk shqyrton ankesat e banorëve të shteteve që nuk janë anëtare të Këshillit të Evropës. Me këtë aktgjykim, sipas tyre, u është njohur edhe e drejta e të gjithë paditësve potencialë, për marrjen e mjeteve nga ky fond.