Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 18:00

Prishtinë- Zyrtarët e Policisë së Serbisë në pikën kufitare në Merdare u kanë thënë udhëtarëve se nuk mund të hyjnë më dokumente të Kosovës për shkak të problemeve në sistemin për regjistrimin e të dhënave, njofton RTK. 

Kolonat e automjeteve, megjithëse në numër më të vogël, vazhdojnë të presin për të kaluar këtë pikë kufitare.

Udhëtarët kanë mbetur për disa orë me radhë në zonën neutrale mes Kosovës dhe Serbisë në pikëkalimin e Merdares, për shkak se autoritetet serbe nuk i kanë lejuar disa herë të hyjnë në Serbi me dokumente të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Autoritetet serbe lidhur me bllokimin e qytetarëve, janë arsyetuar se kanë probleme me sistemin për regjistrimin e të dhënave.

Nga ana tjetër, kreu i opozitës Isa Mustafa është shprehur skeptik se marrëveshja për lëvizjen e lirë do të implementohet pasi kjo nuk ka kaluar përmes Kuvendit të Kosovës.

“Ne e kemi shprehur mosbesimin tonë dhe kemi thënë se është e vështirë të miratohen ato pa aprovimin e Kuvendit. E kjo ka pasoja për qytetarët të cilët nuk po lejohen të kalojnë përmes Serbisë”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, përgjegjësinë për këtë që po u ndodh qytetarëve duhet ta marrin ata që e kanë bërë këtë marrëveshje, duke aluduar kështu në Qeverinë e Kosovës.