Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 18:26

Mitrovicë – Protestuesit serbë në tubimin e sotëm të organizuar në veri të Mitrovicës kanë hedhur poshtë me aklamacion 15 pikat e marrëveshjes së Brukselit, ndërkohë që kanë miratuar një deklaratë të përbashkët prej 8 pikave.

Në këtë tubim u vlerësua se i tërë procesi i bisedimeve është zhvilluar në kundërshtim me vullnetin e popullit serb të Kosovës, dhe si i tillë është jolegjitim.

Po ashtu, njëzëri dhe nën brohoritjet ‘Të gjithë, të gjithë’ është aprovuar se ka ardhur koha për themelimin e ‘Kuvendit autonom të krahinës së Kosovës dhe Metohisë’.

Këtë Kuvend do ta përbëjnë këshilltarët e katër kuvendeve komunale të veriut, ndërsa në fillim kuvendi do të ketë karakter të përkohshëm.

Në pikën e tetë të kësaj deklarate thuhet se qytetarët e veriut duhet që përmes referendumit të shprehin vullnetin e tyre për mbetjen e tyre në kuadër të shtetit të Serbisë.

Kërstimir Pantiq, zv drejtor i Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, ka thënë se serbët e veriut ndodhen para një udhëkryqi ku duhet të vendosin në cilën anë duan të vazhdojnë rrugën e tyre, nga Beogradi apo Prishtina.

Kryetarët paralelë të Zubin Potokut dhe Zveqanit, Sllavisha Ristiq dhe Dragisha Milloviq, janë shprehur të vendosur që qytetarët në asnjë mënyrë të mos pranojnë të jetojnë në Kosovën e pavarur. (K.P/LajmeShip.com)