Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 16:20

Tiranë – “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë”, ishte tema kyesore e prezantimit të projektit të financuar nga BE, “Rritemi së Bashku”, të organizuar nga Instiuti Shqiptar për Studime Evropiane (AIIS).

Kreu i Delegacionit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, u shpreh se, ka disa arsye përse Shqipëria kërkon të integrohet në BE dhe përse BE kërkon të integrojë Shqipërinë në strukturat e saj.

Sipas tij, “Nëse e shohim nga perspektiva e BE-së, arsyet kryesore për një zgjerim të BE-së në Ballkanin Perëndimor janë politike”.

“BE është arritja më e madhe për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e një vendi. Krizat ekzistojnë në një rajon apo në një vend dhe një anëtarësim në BE do të bënte që këto kriza të zgjidheshin me ndihmën e BE”, tha ai.

Ndërsa sipas tij, “nëse e shohim nga perspektiva e një vendi që do të anëtarësohet në BE, si për shembull Shqipëria, integrimi shihet si perspektivë për një të ardhme më të mirë”.

“Integrimi shërben si një ndihmës për realizimin e objektivave”, theksoi ai, teksa shtoi se, “integrimi ndihmon edhe në anën ekonomike. BE jep për Shqipërinë më shumë se 90 milionë euro në vit në formën e projekteve që ndihmojnë sektorë të ndryshëm të vendit”.

Sipas tij, flitet shpesh për 12 prioritetet kyçe që Shqipëria duhet të plotësojë për tu integruar në BE, por fillimisht duhet të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë dhe përse shërbejnë këto prioritete për tu anëtarësuar dhe këtu duhet që gjithë shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet.

Ndërsa Michael Weichert, përfaqësuesi në Shqipëri i fondacionit gjerman “Friedriech Ebbert Stiftung” u shpeh se, “nëse duam që ky projekt të funksionojë atëherë duhet të kemi një angazhim jo vetëm të strukturave të qeverisë, por edhe të të gjithë shoqërisë shqiptare”.