Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 14:42

Tiranë – Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, u shpreh sot, gjatë prezantimit të arritjeve të BE-së gjatë presidencës hungareze, se procesi i integrimit për Shqipërinë duhet të konsiderohet si axhendë kombëtare,

Sequi u shpreh se  “ambicja ime, ajo që pres unë, shpresa ime, është që procesi i integrimit të konsiderohet si axhendë kombëtare në Shqipëri, të kuptohet çfarë të mirash i sjell një vendi anëtarësimi në BE”.

Ai citoi edhe raportin e Ministrave të Jashtëm të BE-së në mbledhjen e Luksemburgut, të cilët kërkuan rifillimin e dialogut politik në vend.

“Këshilli i BE bëri një takim dhe nxorri një dokument, ku bëri disa sugjerime. Në pikën 4, BE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i rikthehet dialogut politik dhe te tejkalojnë ngërçin e gjatë politik. Ky dialog i tillë është i rëndësishëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike, duke përfshirë këtu funksionimin efikas të parlamentit dhe menaxhimin e vendit drejt axhendës europiane”, tha Sequi.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë e kërkojnë anëtarësimin në BE. “Mund të them pa pikë dyshimi se kjo nuk do ishte vetëm në interes të Shqipërisë, por duhet ta dimë që kjo është dëshira e qytetarëve dhe pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo, gjithnjë nëse është e vërtetë që më shumë se 90% e qytetarëve e mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, do të thotë se dhe politikanët duhet ta mbështesin këtë punë”, u shpreh përfaqësuesi i BE në vendin tonë.

Por, sipas tij, për të arritur integrimin duhet parë edhe angazhimi i shqiptarëve për këtë dhe kjo përkthehet në rifillimin e dialogut politik dhe zgjidhjen e ngërçit politik.

“Përsa e njoh unë Shqipërinë dhe shqiptarët procesi i integrimi është i mundshëm. Ju keni mundësi dhe mund të mobilizoni energjitë tuaja ta bëni këtë. Ajo që ju nevojitet është vullneti politik. Për këtë folën edhe ministrat e Jashtëm, të cilët i bënë thirrje palëve që të rikthejnë dialogun politik dhe ta tejkalojnë ngëçin e tejzgjatur. Ashtu siç kam thënë në parë integrimi është një axhendë kombëtare. Ne duam të shikojmë angazhimin tuaj dhe kjo përkthehet me nisjen e dialogut”, theksoi Sequi.

Sequi theksoi se BE jep rreth 90 milionë euro çdo vit ndihmë për Shqipërinë, pra sipas tij, “Europa po tregon se e ka vërtetuar çdo ditë, gjithnjë e me tepër, që është këtu për të ndihmuar, megjithatë ju duhet ta dini se ky është vendi juaj dhe këto janë mundësitë tuaja, kjo është përgjegjësia juaj”.