Lajme Shqip Sunday, 04 May 2014 15:36

Policia kufitare në Korçë, në bashkëpunim me policinë greke kanë ndërmarrë një aksion në orët e para të ditës së sotme. Mësohet se, është bërë i mundur sekuestrimi i 97 kg lëndë narkotike, në pikën kufitare të Kapshticës dhe është arrestuar një person. 

Lënda narkotike ishte e ndarë në gjashtë çanta dhe po transportohej nga pesë persona, drejt shtetit fqinj Greqisë. Pasi policia shqiptare dhe ajo greke është vënë në dijeni të trafikut të dogës, që po bëhej në kufirin e gjelbër është vënë në ndjekje të trafikantëve. Mësohet se vetëm njëri nga transportuesit është arrestuar, ndërsa katër të tjerët kanë mundur t’i shpëtojnë policisë, si pasojë e terrenit të vështirë dhe errësirës. 

 “Pas disa orësh operacioni të përbashkët, policia e Korçës dhe policia greke kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: Ylli Tango, 40 vjeç, banues në Plase Korçë. Shtetasit të lartpërmendur i janë kapur dhe sekuestruar gjashtë çanta me lëndë narkotike, të dyshuar si kanabis sativa, i cili ndodhej në drejtim te piramidës 32 (kufiri i gjelbër), se bashku me katër persona të tjerë të cilët kanë arritur të largohen duke përfituar nga errësira dhe moti i keq”,- thuhet në njoftimin e policisë. 

Ndërkohë policia po punon për kapjen e 4 personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.