Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 22:11

Sarandë – Dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç janë shpëtuar nga zjarri i rënë në banesën e tyre në qytetin e Sarandës, në jug të vendit.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, kur stacioni zjarrfikës në Sarandë është thirrur për ndihmë nga fqinjët e Theodhora Kristos, pronare e apartamentit të pallatit 6-katësh, në lagjen Kodër të qytetit të Sarandës, të përfshirë nga flakët.
Burime nga shërbimi zjarrfikës thanë se ka qenë e vështirë për të depërtuar në banesën që po digjej, për shkak të lartësisë së madhe.
“Zjarrfikësit ia dolën të veprojnë me shpejtësi dhe saktësi, duke shpëtuar fëmijët e rrezikuar dhe të frikësuar nga flakët, që në momentin e rënies së zjarrit kanë qenë të vetëm në banesë”, tha në linjë telefonike Rakip Muzhai, shefi i zjarrëfikëses në Sarandë.
Nga hetimet e para të ngjarjes ka rezultuar se shkak i rënies së zjarrit, është bërë një shkëndi elektrike në banesë.
Dëmet materiale në apartamentin e banimit, të përfshirë nga flakët, kanë qenë të konsiderueshme, por janë shpëtuar jetët e dy fëmijëve të mitur, të cilët mësohet se nuk kanë marrë plagë fizike, por janë të traumatizuar.