Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 15:52

Sarandë – Pas zërave se në qytetin e Sarandës partia neo-naziste greke “Agimi i Artë” ka hapur zyrat, duke u anëtarësuar një grup prej 30 personash, duket se Shërbimi Informativ Shtetëror i Shqipërisë ka dalë në terren për verifikime.

Mediat greke, që citojnë burime nga minoritarët grek në fshatrat e Sarandës, thonë se SHISH ka nisur gjuetinë për zyrat e “Agimit të Artë”.

Mediat greke shkruajnë se një grup prej 10 agjentësh kanë nisur kërkimet në qytetin e Sarandës dhe në fshatrat përreth, për të gjetur zyrën e Agimit të Artë apo edhe të anëtarëve.

“Ata iu kanë kërkuar banorëve të tregojnë se ku mund të jetë kjo degë” shkruajnë mediat greke, ndërsa theksojnë se grekët minoritarë të zonës së Sarandës janë të shqetësuar nga kjo dalje publike e agjentëve të SHISH, madje duke e cilësuar si provokuese.

Por mediat greke nuk e hedhin poshtë mundësinë që partia neo-naziste greke “Agimi i Artë” të ketë hapur zyrën e saj në Shqipëri. Hapjen e degëve të lëvizjes neo-naziste në Shqipëri, kryesisht në jug, e ka paralajmëruar kohë më parë gjatë vitit 2012 edhe deputeti neo-nazist Kristos Papas.(G.E/LajmeShqip.com)