Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 19:23

Prishtinë – Pajtimi në Ballkan nuk mund të ndodhë duke manipuluar të kaluarën, tha sot në kryeqytetin boshnjak ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Me ftesë të Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike të Universitetit Hopkins (SAIS) dhe Fondacionit Amerikë-Bosnjë, ministri Hoxhaj po merr pjesë në konferencën treditëshe në Sarajevë, me temë “Ballkani Perëndimor: Përparim, Stagnim apo Regres”.

Gjatë ditës së nesërme, ministri Hoxhaj do të ketë një takim me Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Philip Gordon, i cili pritet të mbajë një fjalim në këtë konferencë.

Ministri Hoxhaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të lartë të Bosnjës dhe Hercegovinës, bëjnë të ditur burime zyrtare të MPJ-së së Kosovës.

Para shumë përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Sarajevë, politikanëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, analistëve dhe medieve, ministri Hoxhaj ka thënë se “pajtimi është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm në Ballkan. Pajtimi i duhet Ballkanit sot dhe në të ardhmen, por shtetet e Ballkanit nuk duhet të bëhen pjesë e pajtimit, duke mohuar të kaluarën”.

Gjatë fjalimit të tij, Hoxhaj ka theksuar se pajtimi nuk duhet të jetë aty vetëm për t’u dukur mirë, madje nuk mund të jetë i plotë, nëse është vetëm i imponuar nga jashtë, si një kusht shtesë, diçka si kriter plus i Kopenhagës për të na pranuar në Evropën e Bashkuar dhe vlerat e saj që i synojmë.

“Në fakt, për një pajtim përveçse duhet parë qartazi të ardhmen, kjo nuk nënkupton ta bëjmë këtë duke e zbehur të kaluarën. E kaluara që ka qenë e hidhur, për të gjithë ne, duhet të jetë një hapësirë mësimi dhe jo manipulimi”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai ka shtuar se pajtimi duhet të ndodhë si admirim human ndaj viktimave, në rrugë dhe mbi parime evropiane. “Pajtimi nuk mund të ndodhë duke rishkruar historinë dhe manipuluar të kaluarën. Vlerat e pajtimit nuk duhet të ndërtohen mbi mohimin, bilancin e fajeve, por në forcën për të pranuar dhe falur”, ka thënë Hoxhaj.