Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 14:30

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm, çdo vit publikon shifrat e shpenzuara nga 171 shtete të botës në ushtri. 

Referuar raportit të publikuar nga ky Institutit, Shqipëria në periudhën 1992 – 2013 ka shpenzuar 3,131 miliard dollar për ushtrinë. Sipas grafikut, shpenzimet më të vogla kanë qenë në vitin 1998, një vit pas trazirave në vendin tonë, ku Qeveria ka shpenzuar vetëm 70.4 milion dollarë në fushën ushtarake. Ndërsa niveli më i lartë i shpenzimeve arrihet në vitin 2009, vit kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Në këtë vit në zërin “shpenzime ushtarake” kanë shkuar 251 milionë dollarë. 

Të larta kanë qenë shpenzimet edhe në 2008, ku ekzatësisht janë lëvruar 233 milion dollarë për shpenzime ushtarake. Ndërsa në vitin e fundit të përfshirë në këtë raport, 2013 vendi ynë ka shpenzuar 168 milion dollarë. 

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Maqedoninë, Malin e Zi apo Bosnjën rezulton se në total Shqipëria ka shpenzuar më shumë në ushtri, por për këto shtete të dhënat e raportit nisin shumë vite më vonë. Më konkretisht, Maqedonia nga viti 1996 deri në 2013 për ushtrinë, ka shpenzuar 3 miliard e 46 milion dollar, ku shpenzimet më të shumta, 436 milion dollar janë kryer përgjatë vitit 2001, vit në të cilin Maqedonia ishte në luftë, ose gati dy herë me shumë se sa vendi ynë në viti me shpenzimet më të larta. 

Edhe Bosnje Hercegovina është pothuajse në të njëjtat nivele. Për periudhën 2002 – 2013, ky shtet ka investuar 3 miliard e 90 milion dollarë. Ndërkohë, Mali i Zi ka shpenzuar shumë më  pak. Në periudhën 2006 – 2013, ky vend ka kryer shpenzime ushtarake rreth 626 milion e 800 mijë dollar ose 5 herë më pak se Shqipëria. 

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm është një institucion i pavarur ndërkombëtar i dedikuar për kërkimin shkencor në konfliktet, armatimet, kontrollit të armëve dhe çarmatimit. Themeluar në vitin 1966, ky Institut jep të dhëna, analiza dhe rekomandime lidhur me nivelin e armatimit në botë. Vetëm në vitin 2013 në të gjithë botën janë shpenzuar  1,747 biliard dollarë ku shtetet që kanë investuar më shumë janë Amerika, Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Franca.