Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 13:40

Tiranë – Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, gjatë punimeve sot të “Forumit-2 të Biznesit të Detit të Zi”, i bëri apel ligjvënësve për gjetjen e mekanizmave të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Detit të Zi.

“Vendet tona shfaqin pabarazinë në fluksin e shkëmbimeve tregtare mes tyre, krahasuar me partnerët e tjerë tregtarë më tradicionalë. Ky diversitet ekonomik, politik, madje edhe natyror e social, e bëjnë këtë organizatë akoma edhe më të rëndësishme dhe shtron para parlamentarëve tanë gjetjen e të gjithë mënyrave për të nxitur më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në kuadër të kësaj nisme të përbashkët”, theksoi ministri Ruli.

Shqipëria, vijoi Ruli, është dalluar për një vazhdimësi në implementimin e politikave tregtare, liberalizimin dhe integrimin ekonomik, si në vendet e rajonit edhe në BE.

Sipas tij, nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit ekonomik me vendet e Detit të Zi sigurisht do të rrisë më tej përfitimet e shumanshme të invesitorëve, prodhuesve dhe konsumatorëve.

“Pavarësisht se rajoni gjeografik, i përfshirë në këtë nismë, përfshirë panoramën ekonomike dhe shkëmbimet e flukseve tregtare mes vendeve tona, tregojnë se kanalet e këtyre shkëmbimeve si dhe prirja reciporke e vendeve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, nuk kanë të njëjtin intensitet”, tha Ruli, duke shtuar se ato diku janë më të forta dhe diku më të dobëta.

Ministri Ruli u shpreh se “qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të madhe zhvillimit të bujqësisë, sidomos vitet e fundit, ku edhe investimet pubike janë rritur ndjeshëm, me një fokus të veçantë në drejtim të nxitjes së investimeve direkte dhe rritjes së prodhimit”.