Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 07:38

Tiranë – Në kuadër të Javës Çame “Trëndafilat e Çamërisë”, shoqata “Çamëria” organizoi dje, në mjediset e “Hotel Tirana”, shpalljen e konkursit për ndërtimin e varrezave monumentale të eksodit të shqiptarëve të Çamërisë në Qaf-Botë.

Sipas burimeve nga zyra e shtypit e PDIU-së, “varrezat do të ndërtohen në fshatin Kllogjer të rrethit të Sarandës, aty ku prehen më shumë se dy mijë shqiptarë të Çamërisë, që humbën jetën nga lodhja, mungesa e ushqimit dhe e ujit, gjatë kalvarit të tyre biblik nga Çamëria për në Shqipëri”.

Kryetari i jurisë, që do të përcaktojë fituesin e projekt-idesë për ndërtimin e këtyre varrezave monumentale, Artan Lame deklaroi se, ky projekt synon të vendosë në vend dinjitetin e të gjitha viktimave të gjenocidit.

“Ne kemi për detyrë qytetare që të kujtojmë me respekt të gjitha viktimat e masakrave të kryera nga regjime diktatoriale, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kemi mundësi të pengojmë ngjarje të tilla që të ndodhin sërish”, tha Lame.

Kryetari i shoqatës “Çamëria”, në pronësinë e të cilit ndodhet territori ku do të ndërtohen varrezat, Ardian Tana deklaroi se padrejtësitë e së kaluarës duhet të gjejnë rrugën e zgjidhjes, duke treguar edhe histori nga kampi që u ngrit në vitin 1944 në Kllogjer, për të strehuar viktimat e spastrimit etnik dhe gjenocidit nga forcat ekstremiste greke.

“Rreth 2700 të moshuar, fëmijë, gra dhe burra kanë humbur jetën duke ardhur në Shqipëri, pasi u dëbuan pa pasur asgjë me vete nga shtëpitë e tyre. Më 27 qershor të vitit 1944 nisi dëbimi përfundimtar i shqiptarëve të Çamërisë, dhe në Kllogjer u ndërtua një kamp provizor për t’i mirëpritur, por pa pasur as kushtet minimale, as ushqim, as ujë”, tha Tana.

Dosja e aplikimit duhet të dorëzohet deri më 30 shtator në komisionin përkatës, të drejtuar nga shoqata “Çamëria”. Në komision bëjnë pjesë Artan Lame, kryetar, Ardian Tana, kryetar i shoqatës “Çamëria”, Abas Hado, piktor, Genci Mulliqi, skulptor dhe Arben Biçoku, arkitekt, nënkryetar i shoqatës së arkitektëve të Shqipërisë.

Varrezat e Kllogjerit janë në pronësinë e shoqatës “Çamëria”, pasi janë blerë vite më parë, për t’u kthyer në varreza memoriale.