Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 17:40

Prishtinë – Inspektorati i ndërtimit i Komunës së Prishtinës sot ka bërë rrënimin e dy garazhave të ndërtuara pa leje në oborrin e selisë së PDK-së, në Prishtinë.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, ka thënë se objektet kanë filluar të ndërtohen pa leje të organit kompetent, kurse inspektorati në këtë rast si edhe herëve të tjera ka reaguar sipas procedurave ligjore dhe sot ka bërë rrënimin e këtyre objekteve.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve e gjithashtu edhe subjekteve politike që të respektojnë ligjin dhe për çdo ndërtim të kërkojnë leje në Drejtorin e Urbanizmit.

Ndryshe, zyrtarë të Komunës së Prishtinës, kanë treguar se më parë kanë ekzistuar tri objekte në këtë oborr, por për t’u liruar hapësira, kanë ndërruar kahjen e tyre dhe gjithashtu i kanë rindërtuar dy të tjera.

Sipas tyre, poseduesi i objektit nuk ka pasur informata se duhet leje për rindërtim të objekteve, prandaj ka filluar të punoj.

Gjithashtu, punëtorët të cilët ishin duke e bërë ndërtimin e këtyre garazhave, kanë rrezikuar, që të hyjnë e t’i marrin disa materiale punuese para rrënimit të objektit.

Rrënimi është kryer nga kompania e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, në asistencë të Policisë së Kosovës.