Lajme Shqip Sunday, 01 November 2015 11:36

Kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli ka thënë për Klan Kosovën se i është drejtuar publikisht Qeverisë së Kosovës që nga data 1 Nëntor 2015 të fillojë zbatimin e marrëveshjes që nënkupton detyrimin e qytetarëve serb që të bartin targa provuese dhe aplikimin e tarifave shtesë për to, në rastet kur ata hyjnë në territorin e Kosovës.

 “Është dashur të fillojë para 12 ditëve, shpresoj se fillon të zbatohet sot”.

Ai është shprehur se kanë kaluar afro dy muaj nga kërkesa e tij për ngrirje të kësaj marrëveshje ose zbatimit të saj në mënyrën e njejtë siç po zbatohet nga pala serbe.

Pacolli ka thënë  se nëse nuk fillojnë të zbatohen sot tabelat provuese, kjo nuk është në rregull dhe sipas tij kjo është kompetencë e Qeverisë, njofton Klan Kosova.

“Nga kjo po dëmtohen qytetarët e Kosovës”.

Ai gjithashtu ka deklaruar marrëveshja është reciproke dhe duhet të vlejë njëlloj për të dyja palët.

“Nëse marrëveshja është reciproke atëherë nuk është në rregull që për qytetarët e Serbisë të jetë ndryshe e për qytetarët e Kosovës ndryshe”.

Pacolli gjithashtu ka shtuar se ankesat nga ana e qytetarëve po rriten çdo ditë e më shumë lidhur me vështirësitë në të cilat po hasin andaj ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt.