Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 22:20

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në manifestimin qendror të festimit të 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar italian në Romë (Itali), me ftesë të Presidentit Giorgio Napolitano.

Burime zyrtare kosovare nga Roma bëjnë të ditur se në ceremoninë madhështore u takua dhe bisedoi me nënkryetarin e SHBA, Jozef Bajden, i cili vlerësoi zgjedhjen e saj në krye të shtetit të Kosovës dhe e quajti momentin e zgjedhjes se saj si Presidente shumë të rëndësishëm në angazhimin e vazhdueshëm të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe përparimin e përgjithshëm të vendit.

Presidenca kosovare njofton se Bajden theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes SHBA dhe Kosovës, të cilat do të zhvillohen më tej, sepse SHBA e kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë edhe më tej ta përkrahin Republikën e Kosovës në të gjitha drejtimet.

Jahjaga falënderoi Bajdenin për përkrahjen e SHBA për Kosovës si vendimtare dhe që vlerësohet shumë nga populli dhe institucionet kosovare.

Më tej, Presidentja Jahjaga u takua edhe me Presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, koprinci i Andorës, arqipeshkvi Joan Enric Vives i Sicilia, Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, Presidentin e Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, Presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai, Presidentin e Hungarisë, Pal Shmit etj.