Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 22:28

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Italisë, me ftesë të Presidentit Giorgio Napolitano, mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare “La Citta Interetnica” (Qyteti ndëretnik), që zhvilloi punimet në Romë.
Në konferencë, që u drejtua nga kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno, morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, nënkryetarja e Senatit të Italisë, Ema Bonino, e zyrtarë të tjerë të lartë.
Gjatë punimeve të konferencës, Presidentja Atifete Jahjaga u takua me Sekretarin Ban Ki Mun dhe Presidenten e Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, të cilët e përshëndetën pjesëmarrjen e saj në këtë konferencë të rëndësishme ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga në fjalën e saj në këtë takim tha se “sot qytetarët e Kosovës ndjekin një jetë të lirë dhe të sigurt, të mbrojtur me ligj, me përparim dhe prosperitet individual dhe të përbashkët. Ne jemi duke ndërtuar një shoqëri të bazuar në respektimin e lirive individuale, me pjesëmarrjen e qytetarëve në vendim-marrje dhe ofrimin e shërbimeve për komunitetet në gjuhën e tyre amtare. Ne mbështesim dialogun ndër-fetar dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare”.
Ajo theksoi se “Kosova do të vazhdojë të kontribuojë në besimin në mes të komuniteteve dhe kombeve, për të kuptuar dhe pranuar njëri tjetrin, dhe mbështetur ndjenjën e identitetit dhe përkatësisë”.