Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 18:39

Preshevë – “Situata aktuale politike në Luginën e Preshevës është me shkallë të lartë të ndërlikueshmërisë”, tha sot kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Riza Halimi, në një konferencë shtypi.

Sipas deputetit të vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, “situata në Luginën e Preshevës është e shoqeruar me gjendjen katastrofale ekonomike, me shkallën rekord të papunësisë, me thyerjet e rënda të të drejtave të njeriut dhe me mosmarrëveshje të theksuara të organeve shtetërore, përkatësisht të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, me përfaqësuesit legjitime të shqiptarëve të këtij rajoni”.

“Në këtë situatë,  tha Halimi, kryesia e PVD- së vlerëson se ka dështuar edhe kësaj radhe, njësoj si në vitin 2005, iniciativa e përkrahur nga OSBE, që përfaqësuesit legjitime të shqiptarëve të jenë pjesmarrës aktive në punën e Trupit Koordinues, prandaj është e domosdoshme që të shqyrtohet funksionimi madje edhe ekzistimi i mëtejshëm i këtij organi të veçantë qeveritar për Luginën e Preshevës, i cili po të mbetet edhe më tej në formën ekzistuese burokratike rrezikon ngushtimin serioz të kompetencave të pushteteve lokale dhe të Këshillit Nacional”.

Ai shtoi se, “këtë shqyrtim urgjentisht duhet ta bëjë Qeveria e Republikës së Serbisë dhe OSBE së bashku me përfaqësuesit legjitime të shqiptarëve, posaçërisht kur është e njohur se pjesa dërmuese e programit qeveritar të vitit 2001, të përkrahur nga faktori ndërkombëtar, ka ngelur pa u realizuar”.

Në konferencën e sotme për shtyp, lideri politik e deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës, Halimi, përshëndeti “vizitën e rëndësishme në Bujanoc të ambasadores së SHBA, ambasadorit të misionit të OSBE-së në Beograd, amasadorëve të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, që dhanë mesazhe të qarta të përkrahjes për udhëheqjen komunale dhe për vazhdimin e ndihmës substanciale të USAID-it për ngritjen e kapaciteteve të pushteteve lokale në rajon”.