Lajme Shqip Saturday, 12 September 2015 17:45

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, ka dalë kundër vendimit të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Serbi, duke thënë se e gjithë kjo është bërë të larguar vëmendjen nga problemet e shumta në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Halimi, sipas medieve serbe, e ka përmendur kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafën, ndaj të cilit ka pakënaqësi të shumta të qytetarëve, ndaj të cilit kanë paralajmëruar një protestë më datën 18 shtator.

Halimi ka thënë se Mustafa ka qenë i interesuar për një ngjarje të tillë, që do ti linte në hije problemet.

Ai ka theksuar se sot në Preshevë nuk është dëgjuar diçka e re pasi, sipas tij, pjesëmarrësit e tubimit vetëm në mënyrë teorike kanë biseduar.

Ai ka thënë se themelimi i Asociacionit është legjitim, por sipas tij, këshilltarët nga partia e tij nuk kanë marrë pjesë pasi, sipas Halimit, ky vendim nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve.

Ai ka theksuar se ky vendin së pari është dashur të shqyrtohet në nivel të tre komunave dhe pastaj , pasi të merret qëndrimi, të mbahet mbledhje e përbashkët.