Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 13:37

Tiranë – Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, e vlerësoi të shtunën vendimmarrjen e Komisionit Zgjedhor si “korrekte dhe brenda kompetencave të tij”, gjë që dëshmon, sipas tij, se ky institucion është “në rrugën e mbarë të plotësimit të standardeve”.

Në mbledhjen ku po diskutohet p/akti për hapjen e kutive në 368 qendrat e votimit të bashkisë Tiranë, Ristani tha se që në fillim të procesit të numërimit të votave të kontestuara ka pasur kundërshtime të forta nga të gjitha subjektet, kundërshtime që shkuan tej parashikimeve dhe që ishin anormale, tha Ristani. Madje, shtoi ai, procesi që në fillim krijoi pak paqartësi edhe tek organizatat ndërkombëtare dhe vëzhguesit e huaj.

“Nga subjektet zgjedhore u tha se KQZ po vepronte në kundërshtim me ligjin dhe me kompetencat e saj dhe se ai po miratonte një akt normativ dhe jo një akt individual dhe se po vepronte në mënyrë selektive dhe jo gjithëpërfshirëse”, u shpreh Ristani.

Sot, vijoi ai, ne ndodhemi para faktit që Kolegji përfundimisht konstatoi që vendimet e miratuara nga KQZ kanë qenë të bazuara në ligj dhe brenda kompetencës së tij dhe se ai ka vlerësuar drejt votat në kutinë e gabuar.

“Sot, kemi gjithë mundësinë që falë vendimit të drejtë e profesional të Kolegjit të vazhdojmë rrugën që kishim nisur që në fillim të procesit”, tha Ristani.

Kreu i KQZ-së i vlerësoi si profesionale vendimet e trupës së Kolegjit dhe i përshëndeti ato, duke shprehur bindjen se me këtë vendimmarrje KQZ është në rrugë të mbarë, drejt plotësimit të standarteve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, mbledhja e KQZ-së e nisur paraditen e sotme është ndërprerë për një pushim të shkurtër për të rinisur në ora 13:00, ku pritet miratimi në tërësi i p/aktit që parashikon hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara në qendrat e votimit të bashkisë Tiranë.