Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 13:54

Tiranë – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, tha të martën se dy vendimet e fundit të Kolegjit Zgjedhor konfirmuan drejtësinë e vendimmarrjes së KQZ-së për kryetarin e bashkisë Tiranë.

“Në dy gjykimet e fundit të Kolegjit është rikonfirmuar në mënyrë të saktë, të plotë dhe pa ekuivok drejtësia e KQZ-së, e procedurave të ndjekura prej saj në këtë periudhë dhe besoj se kjo është e rëndësishme, pasi ka konfirmuar drejtësinë në punën e Komisionit”, theksoi Ristani për mediat, pas vendimit të shpallur dje nga Kolegji Zgjedhor, për rinumërim të votave të kontestuara në 368 qendra votimi në Tiranë.

Duke folur për procedurat që do ndjekë paskëtaj KQZ, ai tha se do duhet të zbardhet vendimi i Kolegjit që të kuptohet saktësisht se çfarë është vendosur.

“Me të ardhur vendimi në KQZ do të fillojmë menjëherë nga puna, pasi duhet ta shohim atë, që ta komentojmë dhe ta kuptojmë”, u shpreh Ristani.

Lidhur me afatet e zbatimit të këtij vendimi për numërim të votave të kontestuara, kryetari i KQZ-së, nuk tha një kohë të saktë, por parashikoi se ndoshta kjo procedurë mund të realizohet brenda dhjetë ditëve.

“Çështja është se nuk bëhet fjalë për rinumërim total të votave, por për të gjetur ato vota të kontestuara ose fletë që janë në kutitë e gabuara. Por, gjithsesi çdo gjë do të varet nga vendimi i Kolegjit, pasi ta shohim të arësyetuar”, theksoi Ristani.

Ai gjykoi se për këtë situatë do të ishte normale që KQZ të ngrejë një ose dy grupe pune për hapjen e kutive dhe përfundimin e këtij procesi.