Lajme Shqip Saturday, 20 July 2013 13:43

Tiranë- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi paraditen e sotme (ora 10:00) punën për rinumërimin e votave në qarkun Lezhë. Pas miratimit një ditë më parë të vendimit për thellimin e hetimit administrativ në këtë qark, KQZ përcaktoi rregullat që do ndiqen për hapjen e kutive.

Rinumërimi i votave do të bëhet nga tetë grupe numërimi, me nga dy anëtarë. KQZ ka rënë dakord që 248 kutitë e votimit të Lezhës të sillen në ambientet e KQZ-së nga magazinat e Lundrës(Tiranë), gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërsa është parashikuar që çdo ditë të numërohen rreth 80 kuti. Përfaqësuesit e partive politike do të kenë nga një vëzhgues gjatë procesit të numërimit.

Ndërkohë, gjatë debatit për këtë çështje ata shprehën dyshime se vendimi i KQZ-së nuk ka bazë ligjore dhe cënon integritetin e kutive të votimit, raporton BW.
Gjithashtu, të premten KQZ vendosi për rinumërim të votave edhe në qarkun e Shkodrës, pas kërkesës ankimore të Partisë Republikane, që pretendon se në këtë qark i është marrë padrejtësisht një mandat, i cili i ka kaluar demokratëve.

Vendimi për hapjen e kutive në Lezhë u iniciua nga anëtarët e KQZ-së, pas rinumërimit më parë të 10 kutive të këtij qarku, ku u konstatuan shkelje dhe parregullsi.

Në rezultatet paraprake të 23 qershorit në qarkun Lezhë koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mori katër mandate, ndërsa koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” fitoi tre mandate. Por pas verifikimit dhe korrigjimit nga KQZ të rezultateve të 10 QV-ve në ZAZ-në nr. 13 të kësaj zone zgjedhore, numri i votave ndryshoi në favor të koalicionit të djathtë, duke i kaluar një mandat.