Lajme Shqip Saturday, 27 July 2013 16:42

Tiranë – Rinumërimi i votave të 15 kutive të qarkut Kukës nisi mesditën e së shtunës në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku funksionon Kolegji Zgjedhor.

Kolegji ngriti 4 grupe rinumërimi, ndërkohë të pranishëm në procesin e numrit të votave janë dhe kandidatët e dy subjekteve politike të interesuara, Apostol Goxhi (LSI ) Alban Zenelaj (PD) dhe përfaqësuesit e KQZ.

Rreth orës 14:30 përfundoi rinumërimi i 13 kutive të votimit të qarkut Kukës, nga 15 kutitë që do të rinumëroheshin në total. Dy kutitë nr. 0441 dhe 0446, u kontestuan pasi kishin mospërputhje të kodeve. Për këtë qëllim trupa e Kolegjit, me relator gjyqtarin Valbon Çekrezin, u tërhoq për të marrë një vendim lidhur me kutitë e kontestuara dhe vendosi që ata të rinumërohet pavarësisht kundërshtimit të LSI.

Nga rinumërimi i dy kutive të kontestura rezultoi se ato nuk prodhuan ndryshim rezultati duke bërë që mandatet të mos ndryshonin.

Trupa e Kolegjit vendosi të premten për rinumërimin e 15 kutive të këtij qarku, pas shqyrtimit të ankimimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila pretendon se i është marrë padrejtësisht një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

LSI pretendonte se kishte prova që nxjerrin në pah numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës, ndërsa asaj i duhet vetëm 15 vota për të marrë një mandat në këtë qark. Nga ana tjetër LSI pretendon se ka 155 vota më shumë në Qarkun e Kukësit. Fillimisht u fol për një ndarje mandatesh dy me dy mes koalicionit të djathtë dhe atij të majtë. KQZ më pas korrigjoi tabelat dhe e ndryshoi rezultatit 3 me 1 në favor të Partisë Demokratike.