Lajme Shqip Monday, 23 September 2013 13:56

 

Ish sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasnqi dhe ish nënkrytari i parë i kësaj partie, Fatmir Limaj ka kohë që i kanë shkëputur raportet me partinë, në të cilën edhe vetë ishin themelues.

 

Por për dallim nga Krasniqi, Limaj deri sot fare pak ka folur për të ardhmen e tij politike. Ai kishte punë me drejtësinë, nga e cila tanimë është liruar, gjë që i jep mundësi të aktivizohet politikisht.

 

Të dy, Krasniqi e Limaj, janë pozicionuar në përkrahje të subjekteve poltike lokale, të cilat janë ndarë nga PDK, dhe po garojnë kundër kësaj të fundit, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

 

Ndërsa, siç edhe është pritur, ata tanimë shumë shpejtë, do t’i japin fund edhe zyrtarisht pranisë së tyre në PDK, duke themeluar një subjekt të ri politik.

 

Burime të gazetës Lajm, thonë se kryeparlamentari Krasniqi, bashkë me Limajn dhe të tjerë të pakënaqur brenda PDK-së, por edhe jashtë saj, do të themelojnë partinë “Rilindja Demokratike e Kosovës”.

 

Pjesë e këtij subjekti pritet të jenë edhe  Hydajet Hyseni, Flora Brovina, Justina Pula – Shiroka, Muhamet Mustafa dhe Emin Gërbeshi, e ka shumë gjasa që pjesë e këtij Grupi Parlamentar të jenë edhe Nijazi Idrizi, Nait Hasani Xhevahire Izmaku e Azem Syla. (LajmeShqip)