Lajme Shqip Monday, 23 June 2014 15:00

Orë pas ore, operacioni i policisë në fshatin Lazarat zbulon tonelata droge dhe armësh, ndërsa ditën e djeshme janë vënë në pranga edhe tre persona të tjerë, të gjithë nën akuzën e sulmit me armë kundër policisë.

 Mirëpo, fortifikimi i gjithçkaje që përbën prova në vendin e hashashit, ka bërë që të zbulohen edhe armë të fshehura nëpër banesa të braktisura. Për këtë qëllim, ditën e djeshme, është bërë e domosdoshme që të kërkohet ndihmë nga ekspertët xhenio të ushtrisë, të cilët do të marrin në dorë të gjithë territorin për të zbuluar vende ku mbahen armë të fshehura. Kështu në drejtim të Lazaratit është nisur ditën e djeshme një grup xhenierësh nga Ministria e Mbrojtjes, të cilët do të kryejnë kontrolle me mjete të specializuara, nëpër të gjitha banesat ku kryhen kontrollet policore, pasi ka rezultuar sipas të dhënave se në shtëpi të caktuara, janë dashur dytri kontrolle të njëpasnjëshme për të pastruar gjithë ambientet e banesave. Policia ka dyshime që në zonë ka armatim të fshehur edhe nën tokë, ku vetëm pajisjet kontrolluese që përdor ushtria mund të arrijnë të kryejnë kontrollin specifik. Edhe për gjatë ditës së djeshme, policia ka mundur të sekuestrojë armë të të gjitha llojeve, ndërsa shumë prej armëve janë grumbulluar dhe janë sjellë në Tiranë ku do t`i nënshtrohen ekspertimit shkencor, pasi ka dyshime të forta që janë armë me të cilat janë kryer atentate dhe më pas janë shitur ‘rojeve’ të Lazaratit.

Arrestimet

Pas Gate Mahmuatajt dhe të birit të tij, Vandamit, bashkë me 16 persona të tjerë që u arrestuan ditëve të para të operacionit, ditën e djeshme blutë kanë vënë në pranga edhe tre persona të tjerë, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit që vijnë nga Gjirokastra bëhet me dije se numri i të arrestuarve në Lazarat ka shkuar në 21, ndërkohë që vazhdon aksioni për të zbuluar të fshehtat kriminale të këtij fshati. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm në pranga ka rënë Minush Brahimi, 21 vjeç, nga fshati Lazarat, pasidyshohet se ka qëlluar më armë ndaj forcave të policisë gjatë operacionit të zhvilluar nga këto forca, gjatë kësaj jave. Ky shtetas është identifikuar të ketë hapur zjarr ndaj forcave të policisë në datat 15, 16, 17 dhe 18 qershor 2014. Laçe Koli, 69 vjeç, banues në Lazarat akuzohet për veprat penale “prodhim e shitje e narkotikëve”, “kultivim i bimëve narkotike”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “mbajtje pa leje e armëve te gjahut’, ndërsa Gjirit Malaj, 30 vjeç, gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të banesës së tij i janë gjetur e sekuestruar një sasi lëndë narkotike, një sasi fishekësh dhe një tytë arme e prerë. Ndërkohë në banesën e të atit të tij, Shaqo Malaj, në Lazarat, janë gjetur ambiente inkubatorë si dhe llamba tharjeje. Tre arrestimet e djeshme e çojnë kështu në 21 numrin total të personave të arrestuar gjatë 8 ditëve të aksionit në Lazarat, ndërsa vijon të jetë në kërkim Lilo Brahimi, bashkë me një grup personash të cilët kanë bërë edhe rezistencën më të madhe sipas policisë.

Kërkimet për ‘të arratisurit’

Forcat Speciale të policisë kanë nisur aksionin për kapjen e të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” të Lazaratit, i përbërë nga 13 persona, të cilët mendohet se, kanë qëlluar policinë për 3 ditë rresht dhe që janë larguar nga fshati pikërisht momentin kur uniformat blu e “e morën” territorin. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, disa skuadra të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë nisur operacionin për kontrollimin e çdo pjese të malit të Sopotit, ku gjenden edhe disa tunele atje, si dhe disa shpella, ku dyshohet se, mund të jenë fshehur personat e larguar që sipas policisë, kryesohen nga Lilo Brahimi dhe Altin Shurdhi. Këta persona, të shoqëruar edhe nga 11 të tjerë, emrat e të cilëve policia nuk i ka bërë të ditur janë pjesa e fundit e mbetur e personave që kanë qëlluar mbi policinë që në momentin kur policia hyri në Lazarat. Referuar të dhënave bëhet me dije se të arratisurit janë të identifikuar dhe se shumë shpejt do të bien në pranga, pasi emrat e tyre janë dhënë nëpër të gjitha pikat kufitare.

‘Lazarati në dosje hetimore’, 17 vjetaktivitet kriminal

Rihapen dosjet e vjetra të lazaratasve. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për banorët e fshatit, të cilët që nga marsi i 1997-ës e deri në operacionin e fundit në Lazarat, kanë sulmuar me armë 15 herë Policinë e Shtetit. Listës së ngjarjeve ku janë përfshirë banorët e Lazaratit i prin sulmi me armë ndaj Komisariatit të Gjirokastrës më 2 mars 1997, për të vazhduar me sulmet me armë të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës më datë 13 dhe 19 maj të 1997. Në hetim, sipas akuzës, janë edhe dy sulmet me armë ndaj repartit të RENEA-së dhe efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt në shtator të 1998-ës, gjatë tentimit për arrestimin e disa personave me precedent penal. Në këto dy sulme, kanë mbetur të plagosur disa efektivë të policisë, mes tyre edhe Artan Didi tashmë me detyrën e Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Prokurorët thanë se në hetim janë edhe 30 të dyshuarit nga Lazarati, të cilët më 9 tetor të 1998 kanë sulmuar ndërtesën e Shërbimit Informativ Shtetërore në Gjirokastër. Pjesë e dosjes voluminoze të hetimit, janë edhe ngjarjet e ndodhura pas vitit 2000 me banorët e Lazaratit, që në çdo tentativë të policisë për të hyrë në fshat, janë përballur me breshëri plumbash. Siç është rasti i sulmeve me armë të patrullës së policisë në maj dhe korrik të vitit 2000, sulme këto të përsërituraedhe gjatë operacioneve të policisë në periudhat e vitit 2004- 2007 ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n mbeti i vrarë personi i shpallur në kërkim për disa vepra Sabri Shurdi. Hetimet, sipas akuzës, janë përqendruar edhe për sulmin me mitraloz të rëndë kundër helikopterit të Misionit Interforce të datës 18 gusht të vitit 2004. Sulm ky i përsëritur edhe gjatë fotografimit të parcelave të drogës nga pilotët italian në periudhën qershor-gusht 2013. Të gjithë këto ngjarje i janë bashkuar një hetimi të plotë që ka nisur në shtator të vitit të kaluar nga tre prokuror të Krimeve të Rënda, prokuror këta që po ndjekin nga afër edhe operacionin e fundit për asgjësimin e kultivimit të lëndës narkotike të nisur me 15 qershor. Për këtë operacion, tashmë janë arrestuar 4 persona për sulm me armë ndaj policisë ndërsa 7 të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërsa me urdhër të prokurorisë së Gjirokastrës, policia ka arrestuar 17 persona për akuza të ndryshme dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas akuzës, janë ngritur 5 grupe pune në terren me 5 prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësor, të cilët po fiksojnë çdo provë materiale që gjendet në banesat apo territoret e ndryshme në Lazarat. Këta hetues, njëherazi po marrin edhe dëshmitë e banorëve dhe efektivëve të policisë për parcelat, drogën dhe armët e gjetura në pronat e tyre.