Lajme Shqip Sunday, 15 January 2012 12:45

Prishtinë-Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka arsyetuar përdorimin e forcës mbi turmat protestuese, të cilat të shtunën, duke iu përgjigjur thirrjes së lëvizjes “Vetëvendosje” synuan t’i bllokojnë pikat kufitare në Merdar dhe te Dheu i Bardhë.

Me gjithë numrin e madh të atyre që janë lënduar në këtë protestë, ai ka thënë se policia ka vepruar në mënyrë shumë profesionale.

“Policia ka përdorur forcën minimale proporcionale, konform situatës, prandaj mendoj se ajo ka vepruar në mënyrë shumë profesionale”, ka deklaruar ministri Rexhepi për “Kohën Ditore”, gjatë një bisede të shkurtër telefonike.

Ai nuk i ka cilësuar të tepërta as goditjet që kanë marrë protestuesit pas largimit nga vendi ku janë zhvilluar protestat.

“Natyrisht se edhe ata që shpërndahen, policia i orienton në drejtime të caktuara”, ka shtuar ai, duke iu shmangur shprehjes dhunë. Qëllimi i policisë gjatë gjithë kohës, sipas tij, ka qenë që të liroheshin rrugët dhe të mundësohej liria e lëvizjes.