Lajme Shqip Sunday, 23 June 2013 13:07

Tiranë – Vrasja e simpatizantit të LSI-së në qytetin e Laçit dhe plagosja e kandidatit të PD-së gjetën jehonë të menjëhershme në shtypin e huaj.

Agjensia e lajmeve Reuters e përcjell informacionin duke kujtuar edhe një herë me sa vëmendje po ndiqen këto votime nga Perëndimi i shqetësuar mbi gjendjen e demokracisë në Shqipërinë anëtare të NATO-s, transmeton TCH.

E majta po përpiqet t’i mohojë kryeministrit Sali Berisha një mandat të tretë 4-vjeçar radhazi, i paprecendent ky për vendin që prej përmbysjes së regjimit komunist në 1991-n, thekson Reuters.

Por, kërcënimi i një rezultati të diskutueshëm zgjedhor është gjithmonë

e më i lartë që prej sherrit politik që e la organin më të lartë elektoral, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me mangësi stafi e të paaftë ta certifikojë rezultatin. Që prej 1991-shit, Shqipëria nuk ka mbajtur kurrë zgjedhje të cilësuara krejtësisht të lira e të ndershme, nënvizohet në artikullin e agjensise prestigjoze të lajmeve dhe një dështim tjetër do të ishte një goditje për ambiciet e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sondazhet e para të opinionit, jo fort të sigurta për Reuters, tregojnë epërsi të liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Për Berishën, dominues të jetës politike të vendit që nga rrëzimi i regjimit komunist, humbja në këto zgjedhje do të nënkuptonte për reporterët e huaj edhe fundin e karrierës politike.