Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 20:00

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 152, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dekretoi datën 22 dhjetor 2013, për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Presidenti Nishani dekretoi sot datën 22 dhjetor për mbajtjen e referendumit, të kërkuar nga një grup nismëtar të shoqatave ambjentaliste dhe atyre të shoqërisë civile. Referendumi për importin e mbetjeve urbane do të vendosë nëse do të shfuqizohen apo jo nenet 22, pika 3, dhe 49, të cilat kërkojnë të rregullojnë importin e lëndëve të para (mbetje të ndara) për industrinë ricikluese në vend.

Zyra e shtypit e Presidencës publikoi relacionin shpjegues për caktimin e datës së referendumit.
“Më datë 30.11.2011, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është paraqitur një kërkesë për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Me Vendimin nr. 1236, datë 22.12.2011, KQZ ka vendosur miratimin e modelit të fletës tip për mbledhjen e nënshkrimeve të 50 mijë zgjedhësve, siç sanksionohet në nenin 150 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 127 të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të procesit të verifikimit të nënshkrimeve dhe saktësisë së dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, KQZ me vendimin nr.10, datë 28.06.2012 vendosi pranimin e kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit nr. 10463, date 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” si dhe dërgimin e kërkesës Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese më datë 03.01.2013. Shtyrja e dërgimit të kërkesës nga KQZ është arsyetuar dhe bazuar në përcaktimet e pjesës së nëntë të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr.8, datë 08.03.2013, ka vendosur pranimin e kërkesës si dhe deklarimin si të pajtueshme me Kushtetutën të kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Bazuar në nenin 152, pika 3 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës cakton datën e referendumit brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv nga Gjykata Kushtetuese. Në përputhje me këtë përcaktim kushtetues si dhe me nenin 119, pika 6 të Kodit Zgjedhor të vitit 2003, kërkesa për referendum duke mos kaluar në të gjitha procedurat e kërkuara, brenda datës 15 mars 2012, u shty deri në vitin 2013. Ndërkohë, neni 119, pika 2 e Kodit Zgjedhor të vitit 2003 nuk lejon mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm brenda periudhës 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri 3 muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri (sipas një përllogaritje kjo periudhë korrespondon me datat 7 mars 2013 -17 dhjetor 2013).
Për sa më sipër, Presidentit të Republikës i mundësohet caktimi i datës 22 ose 29 dhjetor 2013 si datë për zhvillim referendumi.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës vendosi të caktojë datën 22 dhjetor 2013 si datë për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”,- përfundon relacioni. 

NENET QË KËRKOHEN TË SHFUQIZOHEN
Në nëntor 2011, Alenaca kundër Importit të Plehrave (AKIP) iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesën për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm, për shfuqizimin e një pjese të ligjit, konkretisht nenit 22, pika 3 “Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve”, si dhe nenenin 49 të ligjit, i miratuar në shtator 2011. 

Sipas grupit nismëtar, “nenet objekt shfuqizimi parashikojnë mundësinë e importit të mbetjeve me qëllim asgjësimi, duke vënë në rrezik qëllimin e ligjit që është kufizimi i importit të mbetjeve për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të individëve dhe cilësinë e mjedisit”. 

Sipas tyre, ligji është i vetëmjaftueshëm, pasi në rast shfuqizimi të nenit 49, i cili parashikon llojet e mbetjeve që lejohen të importohen, autoritetin e dhënies së autorizimit të importit dhe procedurat, nuk shkaktohen probleme për pjesën tjetër të tij, sepse ekzistojnë nene të tjera me parashikime të qarta ligjore dhe detyrime negative të shtetit. Konkretisht, neni 48 rregullon ndalimin e importit dhe të kalimit transit të mbetjeve të rrezikshme dhe ndalimin e mbetjeve jo të rrezikshme, për arsye ruajtjeje ose asgjësimi. 

Neni 22 parashikon që “Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim, kur ky operacion klasifikohet si rikuperim dhe vlerësohet se: a) një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e impianteve të trajtimit të mbetjeve; b) importe të tilla mundësojnë trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve të vendit me mënyra që nuk përputhen me planet përkatëse të menaxhimit të integruar të mbetjeve”.
Ndërkohë neni 49, “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”, parashikon që në vend importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3 të nenit 48 të këtij ligji. 
“Importimi i mbetjeve, sipas pikës 1 të këtij ligji, është i mundur vetëm me autorizim të Këshillit të Ministrave. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në ministri”, thuhet në nenin 49. Ndërkohë, po sipas këtij neni, “autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi”. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, merr në konsideratë arsyet e importimit të këtyre mbetjeve. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas llojit dhe kodit, të kërkuar në vend, ndërkohë që përcaktohet se autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe deri një vit dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme. “Në autorizimin e importimit të mbetjeve përcaktohen: a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet; b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre; c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve”, thuhet në nenin 49 të ligjit, që përcakton se Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve që lejohen të importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni”. 

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, ligji përqas plotësisht Direktivën 2008/98/KE të Bashkimit Evropian dhe pjesërisht Rregulloren 1013/2006 për transferimin e mbetjeve.(LajmeShqip.com)