Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 08:01

Tetovë – Nobelisti shqiptar, Ferid Muradi, është takuar me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, në selinë e partisë, në Reçicë të Vogël. Ai me këtë rast është falënderuar për ftesën dhe ka thënë se gjatë kohës së vizitës së tij në Maqedoni, ka mësuar shumë për politikën e shqiptarëve në vend.

“Unë jam shkencëtar, e jo politikan. Me të vërtetë kam pasur kënaqësi të madhe që gjatë vizitës sime të katërt në Maqedoni të takohem edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Gjatë këtij qëndrimi, isha edhe në Tiranë dhe për herë të dytë në Prishtinë, ashtu që arrita, krahas Maqedonisë, t’i vizitoj edhe Kosovën dhe Shqipërinë. Të hënën kthehem në SHBA”, ka thënë Muradi.

Sipas kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, takimi me nobelistin, për të paraqet privilegj dhe kënaqësi.

“Nga dy shqiptarë nobelistë, mes të cilëve është edhe Nënë Tereza, unë pata mundësi të takohem me njërin prej tyre, e ai është profesori Ferid Muradi. Biseduam për më shumë tema me interes të ndërsjellë. Por, më së shumti u ndalëm në situatat dhe mundësitë për përparimin e mëtejshëm në sferat e arsimit dhe shëndetësisë. Shqyrtuam më shumë mundësi për bursa të nxënësve dhe studentëve nga Maqedonia, por edhe këmbim të përvojave me profesorët, me qëllim që të ndihmojmë për përparimin e arsimit të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë Ahmeti.