Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 18:03

Rektori i shkarkuar i UP’së, Ramadan Zejnullahu, menjëherë pas votimit të Këshillit Drejtues, ka thënë se në Universitet sot fituan shantazhet dhe mashtrimet e njerëzve të fuqishëm përballë idesë së reformës dhe progresit.

“Vendimi i sotëm i Këshillit nuk kishte të bënte me mua ose me stafin tim, por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm. Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta.

Unë ende besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t’u transformuar, duke respektuar vlerat e duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme e jo për klane njerëzish të fuqishëm. Unë do të vazhdoj ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe arsyes do të triumfojë herët apo vonë. Rrugës do të humbim shumë beteja, por nuk duhet të ndalemi”, thuhet në reagimin e Zejnullahut.

Ndryshe, pak minuta më parë, iniciativa e senatorëve të UP’së për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu u miratua në Këshillin Drejtues. Anëtarët e këtij këshilli i dhanë mbështetje kërkesës së senatorëve për shkarkimin e Zejnullahut. /GazetaExpress